Secondary Adv

Dyfishohet bonusi i pensionistëve nga 1 janari 2027, Malaj: Indeksimi i pensioneve në prill

Projektbuxheti 2027 parashikon 24 miliardë lekë për politikat e pensioneve dhe afrimin e indeksimit në prill.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2027 në Komisionin e Ligjeve, deklaroi se mbështetja për moshën e tretë mbetet një nga prioritetet kryesore të qeverisë. Sipas tij, nga 1 janari 2027 parashikohet dyfishimi i bonusit të pensionistëve, ndërsa indeksimi i pensioneve do të afrohet në muajin prill, nga korriku që është aktualisht.


Malaj theksoi se nisma për rritjen e të ardhurave të pensionistëve do të vijojë edhe gjatë vitit të ardhshëm, duke e cilësuar këtë politikë si një angazhim për t'iu përgjigjur nevojave të kësaj shtrese.


Sipas ministrit, afrimi i indeksimit të pensioneve në prill do të kërkojë një fond shtesë prej 1.35 miliardë lekësh, ndërsa dyfishimi i bonusit nga 1 janari 2027 parashikohet të ketë një kosto prej 20 miliardë lekësh në vit. Në total, politikat e parashikuara për pensionistët arrijnë në 24 miliardë lekë, ose rreth 250 milionë euro.


Malaj: 24 miliardë lekë për mbështetjen e pensionistëve në vitin 2027


Gjatë prezantimit të projektbuxhetit, ministri i Financave u ndal te fondet e parashikuara për pensionistët, duke theksuar rëndësinë e këtyre masave në politikat sociale të vitit të ardhshëm.


“Një nga prioritetet tona kryesore mbetet mbështetja për moshën e tretë, ku pensionet zënë një vend të veçantë në projektbuxhetin 2027.

Nisma që synon rritjen e të ardhurave të pensionistëve do të vijojë edhe gjatë vitit 2027. Nuk është thjesht një zë në buxhet, por një angazhim për t’iu përgjigjur nevojave të kësaj shtrese.


Ne parashikojmë afrimin e indeksimit të pensioneve në muajin prill, nga korriku, me një fond shtesë prej 1.35 miliardë lekësh. Gjithashtu, nga 1 janari 2027 do të nisë dyfishimi i bonusit të pensionistëve, me një kosto prej 20 miliardë lekësh në vit.


Të dyja këto politika për vitin 2027 do të kushtojnë në total 24 miliardë lekë, ose rreth 250 milionë euro”, pohoi ministri Malaj.


Mbështetje për familjet me fëmijë dhe 3 miliardë lekë për strehimin social


Një tjetër masë që do të vijojë gjatë vitit 2027 është kompensimi përmes Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA), me zbritjen e shpenzimeve në vlerën 48 mijë lekë për qytetarët që kanë fëmijë nën moshën 18 vjeç.


Projektbuxheti parashikon gjithashtu 3 miliardë lekë për strehimin social, me synim mbështetjen e familjeve që kanë nevojë për ndihmë në sigurimin e banesës.


Sipas ministrit të Financave, këto masa janë pjesë e politikave të kujdesit social dhe synojnë rritjen e mbështetjes për familjet në nevojë, pensionistët dhe familjet me fëmijë.


Malaj deklaroi se gjatë vitit 2027 do të vijojë edhe skema e kompensimit të TVSH-së për fermerët, për të cilën është parashikuar një fond prej 3 miliardë lekësh.


Investimet publike mbi 2 miliardë euro, prioritet rrugët dhe infrastruktura


Investimet publike mbeten një tjetër drejtim i rëndësishëm i projektbuxhetit 2027. Sipas ministrit të Financave, shpenzimet kapitale parashikohen në nivelin 6.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.


Investimet publike do të përqendrohen në projekte me vlerë mbi 2 miliardë euro, kryesisht në sektorin e rrugëve dhe infrastrukturës, me synim vijimin e projekteve të zhvillimit dhe përmirësimin e lidhjeve infrastrukturore.


93.7 miliardë lekë për arsimin, rriten fondet për bursat dhe programet pas shkolle


Arsimi mbetet një tjetër sektor prioritar në projektbuxhetin e vitit 2027. Sipas ministrit Petrit Malaj, fondi i përgjithshëm për këtë sektor arrin në 93.7 miliardë lekë, duke shënuar rritje krahasuar me vitin e mëparshëm.


Nga fondet e parashikuara për arsimin, 1.1 miliardë lekë do të përdoren për rritjen e bursave për studentët, ndërsa 400 milionë lekë janë planifikuar për përmirësimin e infrastrukturës bazë.


Gjithashtu, projektbuxheti parashikon 500 milionë lekë për programin pas shkolle dhe 100 milionë lekë për kërkimin shkencor.

Sipas prezantimit të ministrit të Financave, projektbuxheti 2027 synon të ndërthurë mbështetjen sociale për pensionistët dhe familjet me financimin e investimeve publike, arsimit dhe sektorit bujqësor.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat